Ndeshja e parë në histori e NFL-së në Madrid solli jo vetëm spektakël, por edhe një moment ikonik që lidhi dy botë krejt të ndryshme: futbollin amerikan dhe futbollin europian. Përpara 78.610 tifozëve në “Santiago Bernabéu”, mes tyre edhe trajneri i Interit, Cristian Chivu, Miami Dolphins fituan 16-13 ndaj Washington Commanders pas kohës shtesë, falë një goli nga 29 jardë i Riley Patterson.
Aksioni vendimtar erdhi në fillim të shtesës, kur Marcus Mariota gaboi dhe u interceptua nga Jack Jones. ‘Cornerback’-u i Dolphins, në delir pas lojës së madhe, e festoi në mënyrën më të veçantë të mundshme: duke imituar ‘Siuuu’-n e famshëm të Cristiano Ronaldos. Thirrja dhe kërcimi karakteristik i CR7-s, të cilin portugezi e bëri për herë të parë në vitin 2013 në një miqësore kundër Chelsea-t, në “Hard Rock Stadium”, shtëpia e Dolphins, këtë herë u dëgjua fuqishëm në zemër të Madridit.
“Duhej ta bëja,” tha Jones pas ndeshjes. “I thashë mikut tim: ‘Kur të bëj një lojë të madhe, përgatitu për atë festim’.”
Një gjest që bashkoi për një çast dy sporte, dy kultura dhe dy kontinente, duke treguar se ndikimi i Cristiano Ronaldos shkon shumë përtej kufijve të futbollit europian. Në ‘Bernabéu’, ‘Siuuu’ u rikthye sërish,këtë herë falë një ‘ylli’ të NFL-së.


