Edhe pse Austria arriti një fitore 2-0 kundër Qipros, atmosfera brenda ekipit kombëtar ishte larg festës.
Arsyeja lidhej jo vetëm me vështirësitë logjistike në aeroport, por edhe me faktin se skuadra ende nuk është kualifikuar matematikisht për Kupën e Botës.
Delegacioni austriak udhëtonte me mbi tre ton pajisje, gjë që shkaktoi mbingarkesë në avionin për në Vjenë.
Për shkak të kësaj, rreth 45 valixhe u lanë qëllimisht në Qipro. Marko Arnautovic dhe shokët e tij mbërritën në Vjenë vetëm rreth orës 04:20 të mëngjesit dhe u futën në gjumë pas orës 05:00.
Piloti kërkoi falje gjatë fluturimit për situatën e pazakonshme, ndërsa sipas portalit austriak Krone, ishte e qartë se edhe ai vetë ndjehej në pozitë të vështirë.
Problemet nisën që në aeroportin e Pafosit, teksa skuadra mbërriti e zhgënjyer pas lajmit se Bosnja dhe Hercegovina kishte mundur Rumaninë 3-1, rezultat që e pengoi Austrinë të siguronte kualifikimin e parakohshëm për Kupën e Botës.
Festimet janë shtyrë dhe vendi i parë në grup do të vendoset tashmë në ndeshjen vendimtare ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës në Vjenë, nesër mbrëma.
Pas ndeshjes në Qipro, plani i ekipit ishte të kthehej shpejt në shtëpi për t’u fokusuar te sfida finale, por procedurat e ngarkimit të pajisjeve vonuan nisjen me mbi dy orë.
Stafi i aeroportit nuk arriti të përballonte 2.8 ton pajisje, ndaj ngarkimi u zgjat shumë më tepër se sa pritej.
Edhe pse lojtarët u futën në avion rreth orës 01:00 të natës, fluturimi nuk mundi të nisej, pasi llogaritjet treguan se avioni ishte i mbingarkuar.
Zgjidhja e vetme ishte shkarkimi i një pjese të bagazheve kështu 45 valixhe mbetën në Qipro. Avioni u ngrit në fluturim vetëm në orën 02:30.
Me mbërritjen në Vjenë, filloi ajo që mediat e quajtën “llotaria e bagazheve”.
Trajneri Ralf Rangnick, lojtarët dhe stafi teknik rezultuan me fat, pasi bagazhet e tyre mbërritën. Por kryetari i bordit mbikëqyrës, Josef Proll, dhe pjesë të delegacionit nuk i morën valixhet e tyre deri ditën tjetër.
Pavarësisht vështirësive, mbetet për t’u parë nëse këto “detaje të vogla” do të ndikojnë në formën e Austrisë. Një gjë është e qartë: sfida kundër Bosnjës dhe Hercegovinës është vendimtare.


