Thursday, 9. April 2026
Sport

Ballkani angazhon trajner kroat

GS 25/11/2025 2 Min. Lesezeit

Tekniku nga Kroacia, Mislav Karoglan është trajner i ri i Ballkanit.

Ballkani, të martën mbrëma ka zyrtarizuar kroatin Karoglan, i cili në këtë post ka zëvendësuar Orges Shehin.

Karoglan është trajneri i parë i huaj te Ballkani, ekip me të cilin ma firmosur kontratë për dy vjet e gjysmë.

“FC Balkani zyrtarisht ka emëruar kroatin Mislav Karoglan si trajnerin e ri të skuadrës, duke shënuar kështu një moment historik për klubin tonë, me kroatin që është trajneri parë i huaj që drejton FC Ballkanin”, ka shkruar Ballkani.

Karoglan, 43 vjeç, vjen në Suharekë me një eksperiencë të pasur në futbollin evropian. Ai ishte kryetrajner i klubit të njohur kroat Hajduku i Splitit në dy raste, së fundmi sezonin 2023–24, ndërsa edicionin e kaluar 2024–25 ka drejtuar kampionin e shumëfishtë moldav Sheriff Tiraspol, me të cilin ka garuar edhe në arenën ndërkombëtare.

Përpara këtyre angazhimeve, ai ka udhëhequr edhe skuadra të tjera nga elita e futbollit kroat, si Zadar dhe Istra 1961, duke ndërtuar një profil të fortë si trajner modern.

“Trajnerit Karoglan i urojmë mirëseardhje dhe shumë fat e suksese në krye të ekipit tonë, duke besuar se puna e tij do të sjellë energji të re dhe rezultate pozitive për FC Ballkanin”, ka mbyllur Ballkani njoftimin.

Teilen: