Seria e pabesueshme prej 18 ndeshjesh pa humbje e Bayernit u ndërpre dje në “Emirates Stadium”, ku skuadra gjermane u mposht 3-1 nga Arsenali i Mikel Artetës. Një rezultat historik për “Topçinjtë”, me trajnerin spanjoll që nuk i kurseu elozhet: “Djemtë e mi zhvilluan një ndeshje të jashtëzakonshme kundër asaj që e konsideroj si skuadrën më të mirë në Europë”, u shpreh ai.
Vincent Kompany, trajneri i Bayern-it, e pranoi me qetësi se futbolli të vendos përballë humbjeve: “Të gjitha skuadrat mund të humbasin, ky është futbolli. Në fillim e kontrolluam mirë lojën, por goli nga një goditje standarde na vuri në vështirësi. Reaguam, por në pjesën e dytë nuk arritëm të gjenim ritmin e duhur. Arsenali e shfrytëzoi çdo moment”, deklaroi ai.
Në qendër të kritikave u vendos Manuel Neuer, i cili ishte protagonist i pafat në tre golat e pësuar. Fillimisht u befasua në shtyllën e parë nga Jurriwn Timber pas një goditjeje këndi, ndërsa për golin e dytë nuk kishte përgjegjësi të drejtpërdrejta. Megjithatë, një çerek ore përpara fundit kreu një gabim të rëndë, duke i hapur rrugë Gabriel Martinellit për të dërguar topin në rrjetë për herë të tretë. “U përpoqa të parandieja aksionin, por nuk isha i pozicionuar mirë”, u justifikua portieri.
Media gjermane nuk tregoi aspak mëshirë. “Bild” e cilësoi paraqitjen e tij si një “disfatë të plotë”, ndërsa “Süddeutsche Zeitung” shkroi se “stili i tij e tradhtoi”, duke nënvizuar se daljet e larta, dikur arma e tij më e fortë, me kalimin e moshës po shndërrohen në një rrezik që Bayerni po e paguan shtrenjtë.


