Amir Rrahmani po kalon një formë të shkëlqyer dhe rikthimi i tij pas dëmtimit ka qenë vendimtar për Napolin.
Ndërsa mungoi gjatë shtatorit për shkak të një tërheqjeje muskulore, mbrojtësi kosovar u rikthye më i fortë se kurrë, duke u bërë një shtyllë e mbrojtjes së “të kaltërve”.
Shembulli më i freskët ishte paraqitja e tij brilante në fitoren e Napolit ndaj Qarabag në Ligën e Kampionëve, ku Rrahmani dominoi prapavijën dhe udhëhoqi skuadrën me autoritet.
Forma e tij e lartë nuk ka kaluar pa u vënë re.
Sipas “Corriere dello Sport”, dy klube të mëdha turke, Besiktas dhe Fenerbahce, kanë shfaqur interes të fortë për 31-vjeçarin, i cili konsiderohet një nga qendërmbrojtësit më të mirë të momentin.
Ajo që ka rritur tensionin në Napoli është ngërçi në rinovimin e kontratës së Rrahmanit.
Klubi italian synonte ta zgjaste marrëveshjen nga viti 2027 në 2028, por bisedimet janë bllokuar, duke hapur derën për ndërhyrjen e klubeve të interesuara.
Pas rastit Anguissa, duket se Napoli ka një tjetër çështje delikate në duar, dhe këmbanat e alarmit tashmë kanë filluar të bien në kampin italian.


