Wojciech Szczesny ka habitur botën e futbollit me një rrëfim të pazakontë: sezoni i tij i parë te Barcelona ka qenë plotësisht pa pagesë, pavarësisht se klubi arriti të fitonte tre trofe, përfshirë LaLiga-n, nën drejtimin e trajnerit aktual Hansi Flick.
Portieri polak, tashmë 35 vjeç, u pensionua më 27 gusht 2024 pas një karriere 15-vjeçare, por aventura e tij pa u fikur mirë u ringjall vetëm pak javë më vonë. Arsyeja? Robert Lewandowski, i cili e bindi të rikthehej në fushë kur Marc-André ter Stegen pësoi një dëmtim të rëndë në gju që e mbylli sezonin.
“Tri ditë para pensionimit i thashë Lewy-t se nuk do të luaja më për asnjë klub… përveç Barcelonës. Kur më telefonuan, me siguri e dinin që do të më bindnin,” tregoi Szczesny për GQ Poland.
Klauzola e Juventusit që e la pa rrogë
Zbulimi më i madh lidhet me kontratën e tij tek Juventusi, e cila zgjaste deri në qershor 2025. Një klauzolë e veçantë parashikonte që, nëse ai firmoste për një klub të madh përpara skadimit, duhej ta kompensonte Juventusin financiarisht.
Pikërisht për këtë arsye, paga që Barcelona i ofroi në vitin e parë shkoi e gjitha për të mbuluar kompensimin ndaj “Zonjës së Vjetër”. Rezultati: Szczesny nuk fitoi asnjë cent personalisht nga sezoni i tij i parë në “Spotify Camp Nou”.
Roli i tij sot te Barcelona
Pas ofertës së klubit dhe besimit të stafit teknik, Szczesny ka rinovuar deri në vitin 2027, ku shërben si portier i dytë dhe mentor për 24-vjeçarin Joan Garcia, titullari aktual, ndërkohë që Ter Stegen është rikthyer pas dëmtimit.
Szczesny është vlerësuar shumë në ambientin ‘blaugrana’ për profesionalizmin, përvojën dhe ndikimin e tij në dhomat e zhveshjes.


