Manchester City u rikthye te fitorja në Premier League, por vetëm pas një ndeshjeje dramatike ndaj Leeds United, të cilët luftuan deri në fund, duke humbur 3-2 pas një goli vendimtar të Phil Foden në minutat shtesë.
Manchester City – Leeds United 3-2
City e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme: pas vetëm 60 sekondash, Matheus Nunes dërgoi një top në zonë dhe Phil Foden goditi saktë në trekëndësh për 1-0. Dominimi i vendasve vazhdoi dhe në minutën e 25-të, pas një goditjeje këndi të Foden, mbrojtja e Leeds gaboi në largimin e topit, duke i dhënë mundësinë Joško Gvardiol të dyfishonte shifrat. City pati raste për 3-0, por Leeds rezistoi deri në pushim.
Pjesa e dytë solli një tjetër histori. Daniel Farke aktivizoi Dominic Calvert-Lewin dhe sulmuesi iu shpërblye menjëherë: në minutën e 49-të ai ktheu në gol një top të kthyer nga Donnarumma, duke rihapur takimin. Leeds mori zemër dhe pas një aksioni të shpejtë, Calvert-Lewin fitoi penallti. Lukas Nmecha barazoi me goditjen e dytë, pas një pritjeje fillestare të portierit.
Me rezultatin 2-2, Leeds ëndërronte të merrte të paktën një pikë, por Manchester City goditi në momentin më të dhimbshëm. Në minutën e 91-të, pas një pasimi të Cherki-t, Foden lëshoi një goditje të saktë nga distanca, duke vulosur fitoren 3-2 dhe dygolëshin e tij personal.


