Sporti në Kosovë po bën përgatitjet serioze për një përfaqësim sa më dinjetoz në Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”. Synimi është jo vetëm një organizim sa më i mirë i këtij eventi të rëndësishëm, por edhe arritja e rezultateve të larta sportive.
Halil Sylejmani, kryetar i Federatës së Atletikës së Kosovës, ka thënë se pavarësisht vështirësive në përgatitje, atletët kosovarë do të përpiqen të fitojnë medalje në Lojërat Mesdhetare.
“Është e pamundur të mendohej se në Kosovën e lirë të mbahen Lojërat Mesdhetare, ku marrin pjesë 26 vende. Ne si Federatë Atletike dëshirojmë të bëjmë të pamundurën, edhe pse kemi pengesa për atletët dhe përgatitjet, që t’ia dalim. Për Lojërat Mesdhetare, që është diçka speciale, do të konkurrojmë që të kemi atletë sa më cilësorë, që vërtet të marrim medalje. Do të ishte një sensacion.
Do të ishte diçka e mirë jo vetëm për atletët dhe trajnerët, por edhe për Kosovën. Trajnerët e atletikës po punojnë që ta formojnë një ekip të mirë dhe besoj që do ta përfaqësojmë si duhet Kosovën.
Kryesor është atleti, pastaj vendi ku bëhen garat dhe përgatitja. Që kur është themeluar federata kemi punuar dhe do të punojmë, por pa këto kushte është e vështirë. Këta atletë duan përgatitje të posaçme. Duhet të punojmë, duke përfshirë edhe komitetin olimpik dhe ministrinë, që sportistët të shkojnë aty ku ka vend për kërcime, për hedhje. Atletika ka disa disiplina dhe duhet përgatitje”, ka thënë mes të tjerash kryetari i Federatës së Atletikës së Kosovës, Sylejmani.
/KosovaPress


