Barcelona e Hansi Flick-ut ka vënë në shënjestër mbrojtësin gjerman, Nico Schlotterbeck, pasi qendërmbrojtësi i Borussia Dortmundit ka refuzuar rinovimin e kontratës. Sipas ‘El Mundo Deportivo’, bisedimet mes palëve kanë mbetur në vendnumëro dhe largimi i tij në vitin 2027 duket gjithnjë e më i mundshëm.
Schlotterbeck, 26 vjeç, ka refuzuar një rritje të ndjeshme rroge, nga 2.5 milionë euro në 8 milionë euro në sezon, duke sinjalizuar se nuk është i bindur për të vazhduar projektin në Dortmund. Kjo situatë ka tërhequr menjëherë vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha europiane.
Barcelona është në kërkim të një qendërmbrojtësi të majtë të nivelit të lartë, profil që Schlotterbeck e plotëson për mrekulli. Për më tepër, trajneri Flick e njeh shumë mirë, pasi pikërisht ai i dha debutimin në Kombëtaren e Gjermanisë. Kjo e bën operacionin edhe më tërheqës për katalanasit, që kërkojnë të forcojnë repartin defensiv në afatin e ardhshëm.
Megjithatë, konkurenca është e fortë. Real Madridi dhe Bayerni po monitorojnë nga afër situatën. Dortmundi, nga ana tjetër, nuk dëshiron ta shesë lojtarin te rivalët e Bundesligës, çka rrit gjasat për një transferim jashtë Gjermanisë dhe për një duel të vërtetë mes gjigantëve spanjollë për firmën e tij.
Nëse Schlotterbeck vendos të largohet, ai pritet të kthehet në një nga emrat më të kërkuar të merkatos në vitet e ardhshme.


