Në intervistën për ‘Marca’-n, Wesley Sneijder u rikthye tek finalja e Botërorit 2010 në Afrikën e Jugut, ku Holanda u mund 1-0 nga Spanja. Ai shpjegoi se nuk do të ndryshonte asgjë në atë ndeshje.
“Çfarë arritëm atë vit ishte diçka shumë e madhe. Të luash finalen e Botërorit kundër Spanjës ishte e pabesueshme. Ishte një ndeshje shumë e barabartë. Mund të kishim qenë fitues, por fatkeqësisht ata fituan. Për ne ishte maksimumi. Sot, do të filloja ndeshjen në të njëjtën mënyrë, pa asnjë ndryshim. Nëse Robben do të kishte shënuar në përballjen me Casillas, mund të kishim fituar 1-0. Në ndeshje të tilla duhet edhe pak fat,” tha Sneijder.
Ai u pyet edhe për fitoren 5-1 ndaj Spanjës në Botërorin 2014, që u konsiderua një lloj hakmarrjeje:
“Absolutisht jo. Ishte një ndeshje krejtësisht ndryshe. Ajo ishte në fazën e grupeve, ndërsa katër vjet më parë ishte finalja. Do të kisha preferuar të fitonim 1-0 në finalen e 2010-ës dhe të humbnim 5-1 në 2014. Fitorja e grupit nuk e zëvendëson humbjen e finales,” theksoi holandezi.


