Legjenda e Milanit, Andriy Shevchenko, gjatë një interviste për “Tuttosport” foli për disa tema të rëndësishme rreth futbollit dhe skuadrës ku ka lënë gjurmë.
Në lidhje me sfidat ndaj ekipeve të vogla, Shevchenko theksoi se Milanit i duhet një sulmues tip “Inzaghi” ose “Crespo”:
“Kur duhet të sulmosh dhe të luash në hapësira të ngushta, nevojiten sulmues të vërtetë. Mjafton një sekondë për t’i surprizuar kundërshtarët. Për të qenë i kompletuar, Milanit ndoshta i duhet një lojtar i tillë,” tha ai.
Shevchenko vlerësoi gjithashtu sezonin e ekipit Como:
“Ky është një kampionat pa lider, i hapur dhe shumë i bukur, me ekipe surprizë si Como. Ata po bëjnë një sezon shumë të mirë.”
Për Luka Modric, ai shtoi:
“Nuk ka nevojë të krahasohet me askënd. Është një kampion me dëshirë të jashtëzakonshme dhe ka ende shumë për të dhënë. Është vërtet bukur ta shohësh të angazhuar kështu.”
Më tej, Shevchenko komentoi edhe për San Siron:
“Është e drejtë të ndërtohet një stadium i ri, por duhet të respektohet e kaluara dhe historia e ‘San Siros’. Nuk duhet të bëhet krejt ndryshe.”


