Sunday, 5. April 2026
Sport

Slot mes zhgënjimit dhe kënaqësisë pas barazimit me Sunderland-in: Pësuam shumë pak!

GS 04/12/2025 2 Min. Lesezeit

Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, u shfaq me ndjenja të përziera në vlerësimet e tij pas barazimit 1-1 në “Anfield” ndaj Sunderland-it. I pyetur nëse ishte më shumë i zhgënjyer apo i kënaqur, tekniku holandez u përgjigj: “Pak nga të dyja”.

Slot shpjegoi se e priste një ndeshje të tillë, duke vlerësuar fort disiplinën mbrojtëse të rivalëve: “E dija që për t’u shënuar është shumë e vështirë. Në 14 ndeshjet që kanë zhvilluar deri tani, vetëm katër herë kanë pësuar më shumë se një gol, dhe në ato raste sërish vetëm nga dy. O presin shumë lart, o mbrohen me të gjithë, 10 lojtarë në fushë plus portierin, dhe e mbrojnë zonën e tyre deri në fund. Për këtë arsye është aq e vështirë të krijosh raste”.

Pavarësisht dominimit, Liverpooli pati sërish probleme për të prodhuar raste të pastra: “Për këtë aspekt, prisja diçka më shumë nga ne, edhe pse e dija sa e komplikuar ishte. Megjithatë, edhe këtë herë nuk pësuam pothuajse asgjë”.

Slot analizoi edhe mundësitë e Sunderland-it: “Rasti i tyre i parë i rëndësishëm erdhi nga një goditje standarde, me një top të devijuar që goditi shtyllën. Edhe goli i tyre, për mendimin tim, nuk ishte rast i mirëfilltë. Nëse quhet rast, atëherë ne patëm ndoshta 20 të tillë. Por fatkeqësisht një devijim na çoi në disavantazh”.

Teksa foli për golin e barazimit, trajneri holandez vuri në dukje se fati këtë herë ishte me ta: “Edhe goli ynë erdhi nga një devijim, por të paktën ishte goditje nga afërsia, tetë, nëntë, dhjetë metra, pra një rast real. Ndërsa një gjuajtje nga 20 metra është vetëm një mundësi, jo një rast i pastër. Prandaj jam disi i zhgënjyer, disi i kënaqur”.

Teilen: