Në Washington po përgatitet një nga ceremonitë më të bujshme të viteve të fundit: shorti i Kupës së Botës 2026, i cili do të mbahet të premten, në JFK Center. Edhe pse Botërori zhvillohet në tri shtete, SHBA, Kanada dhe Meksikë, atmosfera është fuqishëm e orientuar drejt sporteve amerikane.
Ceremoninë teknike do ta drejtojë Rio Ferdinand, ish-mbrojtës i kombëtares angleze dhe Manchester United. Por vëmendjen më të madhe po e marrin të ftuarit specialë, të përzgjedhur nga FIFA si asistentë të shortit.
Në skenë do të jenë:
- Tom Brady, legjenda e futbollit amerikan;
- Shaquille O’Neal, ikonë e NBA-së’
- Wayne Gretzky, një nga më të mëdhenjtë e historisë së hokejit, me origjinë kanadeze;
- Aaron Judge, rekordmen i MLB me New York Yankees.
Në tapetin e kuq, pritjen do ta drejtojë një tjetër figurë e njohur e futbollit amerikan, Eli Manning, ish-‘quarterback’ i New York Giants.
“Futbolli bashkon, dhe mezi pres ta shoh këtë vitin e ardhshëm në Amerikën e Veriut”, tha Gretzky. Ndërsa Judge shtoi: “Ndjek futbollin, dhe me finalen që zhvillohet në New Jersey, mezi pres të shoh se cilat skuadra do të luftojnë për trofeun në ‘oborrin tonë’.”
Ceremonia pritet të jetë një spektakël i vërtetë, që përmbledh botën e futbollit dhe ikonat e sporteve të mëdha amerikane.