Sunday, 5. April 2026
Sport

Rregullat ‘papaya’ në Formula 1, çështja ‘Piastri’ shkon deri në parlament

GS 04/12/2025 3 Min. Lesezeit

Polemikat mbi të ashtuquajturat “rregullat papaja”, normat e brendshme të skuderisë MekLaren, që për shumë njerëz ngjajnë më shumë si “rregullat e Norrisit”, pasi e kanë favorizuar britanikun në të paktën shtatë raste gjatë vitit 2025, kanë mbërritur deri në parlamentin australian.

Në Australi besojnë se piloti i tyre, Oskar Piastri, nuk po trajtohet në të njëjtën mënyrë si Lando Norris nga ekipi portokalli, edhe pse mesazhi publik i MekLarenit gjatë gjithë vitit ka qenë krejt i kundërt.

Në mënyrë të papritur, një politikan australian ngriti një teori konspirative rreth Piastrit gjatë një seance të Senatit Rural.

Matt Canavan shprehu shqetësimin e tij për trajtimin që MekLaren i ka bërë pilotit me numrin 81, përmes një pyetjeje drejtuar Komitetit për Çështjet Rajonale dhe Legjislacionin e Transportit.

Pas gabimit strategjik të MekLarenit në Çmimin e Madh të Katarit, një vendim që i kushtoi Piastrit fitoren, ndoshta sepse në ekip mendonin se ndalesa e dyfishtë do t’i jepte australianit një avantazh të madh, ndërsa Norris rrezikonte të humbiste vendin e dytë ndaj Vershtapenit, senatori Canavan e ngriti çështjen para të pranishmëve në parlamentin australian.

“Ka qenë një natë mjaft zhgënjyese për disa australianë. Nuk jam i sigurt kujt duhet t’ia drejtoj këtë pyetje, por ju merreni me transport dhe makina. A mendoni se MekLareni ka paragjykime ndaj Oskar Piastrit dhe se kjo po i kushton atij titullin botëror?”, pyeti ai.

Zëvendësministri i Çështjeve Rajonale, Anthony Chisholm, u përgjigj me humor, por edhe duke i dhënë të drejtë në një farë mase: “Me siguri janë marrë disa vendime të padrejta këtë vit dhe këtë e thotë dikush që ka një vajzë të fiksuar pas Formulës 1, e cila ishte shumë e mërzitur kur u zgjua pas garës”, u shpreh Chisholm, duke iu referuar atmosferës në familjen e tij. Australia nuk ka pasur një kampion bote në F1 që prej vitit 1981, kur Alan Jones i dhuroi Uilliamsit kurorën e parë të historisë së ekipit dhe kjo e ka kthyer çështjen në një temë me rëndësi kombëtare.

Piastri, edhe nëse arrin fitoren e tij të tetë të sezonit, ai do të ketë nevojë që Norris të përfundojë i gjashti ose më poshtë për t’u shpallur kampion.

Ndërkohë MekLaren ka mohuar vazhdimisht akuzat për favorizim dhe ka këmbëngulur se nuk do të zbatojë urdhra ekipi në finalen e madhe të Abu Dabit.

Teilen: