U hodh shorti i finaleve të Kupës së Botës 2026, ku shpresojmë të jenë edhe Shqipëria e Kosova, të cilat gjithashtu kanë mësuar kundërshtarët e mundshëm në rast kualifikimi. Finalet do të hapen me ndeshjen Meksikë-Afrikë e Jugut në 11 qeshor, ndërkohë që mungojnë përplasjet e emrave të mëdhenj.
Meksikë-Afrikë e Jugut do të jetë ndeshja hapëse e Kupës së Botës 2026, në 11 qershor, në stadiumin Azteka në Meksiko. Kupa e Botës, e cila do të zhvillohet nga 11 qeshori deri në 19 korrik në tre shtete, SHBA, Meksikë e Kanada, ka marrë jetë me hedhjen e shortit, në Ëashington, përmes një ceremonie spektakolare, ku ishte i pranishëm edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Botërori më i madh në histori do të ketë 48 skuadra, të cilat u ndanë në 12 grupe me nga katër të tilla. Dy të parat e çdo grupi dhe tetë të tretat më të mira do të kalojnë në fazën me eliminim direkt. Falë numrit të madh të skuadrave, shorti nuk ka rezervuar përplasje emrash të mëdhenj që në grupe, por ndeshjet e forta nuk do të mungojnë.
Spikat Grupi I, ku janë Franca, Senegali dhe Norvegjia, ndërkohë që të mëdhenjtë e tjerë, në letër, kanë short më të lehtë.
Në Botëror aspirojnë të jenë të pranishme edhe Shqipëria e Kosova, të cilat do të kërkojnë kualifikimin përmes playoffit të marsit. Në rast suksesi, Shqipëria do të jetë në Grupin F, me Holandën, Japoninë e Tunizinë, ndërsa Kosova në Grupin D, me SHBA, Australinë dhe Paraguajin.


