Elbasani luan sërish në shtëpi me Vorën, nga e cila u mund në mënyrë surprizë fazën e parë të kampionatit me rezultatin 1-2. Kryesuesit e kampionatit luajnë në “Elbasan Arena” edhe këtë fundjavë, duke qenë se Vora nuk e ka ende gati stadiumin dhe është bërë kjo marrëveshje mes klubeve.
Për skuadrën e trajnerit Ivan Gvozdenoviç është një “bonus” për të vazhduar me fitore, pasi dihet ndikimi i tifozërisë elbasanase, një nga më aktivet në Abissnet Superiore. Plus fusha është më familjare për elbasanasit, të cilët do të tentojnë hakmarrjen në sfidën e së shtunës.

Vora deri tani ka shtegtuar në fushat e kundërshtarëve, në pritje të mbylljes së punimeve në stadiumin e saj. Ndeshje të tjera si skuadër pritëse ajo i ka zhvilluar në fushat e Teutës, Vllaznisë dhe Egnatias. Megjithatë, të besuarit e trajnerit Arjan Bellai kanë bërë një paraqitje të mirë, duke grumbulluar 16 pikë në 15 javë.
Elbasani në këtë fundvit do të luajë dy ndeshje në fushën e vet, ku veç Vorës do të presë edhe Tiranën, ndërsa në transfertë do të luajë me Bylisin.