Saturday, 4. April 2026
Sport

Roma, skuadër transfertash

GS 12/12/2025 2 Min. Lesezeit

Roma mbetet këtë sezon në Europa League skuadra e transfertave. Pasi ka mundur Nisën dhe Rejxhërsin, këtë të enjte të besuarit e Gasperinit fituan ndaj Sëlltikut në “Sëlltik Park”. Kjo në ndeshjen që ka ardhur drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Roma e ka gjetur shpejt golin e avantazhit, kjo me anë të kapitenit Xhianluka Mançinit, i cili ka goditur me kokë në të 6’, pas asistit të Syle. Roma mban ritmin e lartë, ndërsa Ferguson në të 27’ ndalet nga shtylla.

Pas dy minutash për verdhekuqtë është pranë golit Syle, por pret Shmajkel. Në të 37’, Roma thellon me anë të Ferguson, që shfrytëzon pasimin e Çelik. Dhe për të qenë më të sigurtë në suksesin e tyre vjen dhe dopjeta e Ferguson, kjo në të parën minutë shtesë, pas shërbimit të Syle. Për Sëlltik një shans për të rihapur ndeshjen në të pestën minutë shtesë, por Engels godet nga pika e bardhë e penalltisë jashtë. Sëlltiku në pjesën e dytë tenton të shtojë ritmet e sulmit, ndërsa në të 64’ ka shënuar Janaço, por goli anullohet nga sistemi VAR për pozicion jashtë loje. Edhe një tjetër shans për Hatate në të 67’, por pa rezultat.

Dhe në momentin më të mirë të skocezëve, Roma ka shënuar dhe golin e katërt, që mban firmën e Bejlit, pas pasimit të Mançinit në të 74’, veçse xhamajkiani ishte në pozicion jashtë loje. Goli i dytë që anullohet në këtë ndeshje nga sistemi VAR. 12 pikë për Romën me golaverazhin 10-5 dhe një siguri më e madhe për një vend në Play-off në Europa League, kurse Sëlltik mbetet në kuotën e 7 pikë. Europa League rikthehet më 22 janar, teksa Roma do të presë Shtutgartin, kurse Sëlltik pret Lilën.

Teilen: