Milani ndalet në “San Siro”. Pas tri fitoreve radhazi ndaj Interit, Lazio dhe Torino, skuadra e trajnerit Allegri nuk ka shkuar më shumë se barazimi kundër Sassuolo. Kjo ndeshje, e vlefshme për javën e 15-të të Serie A, përfundoi me rezultatin 2-2. Kuqezinjtë ngjiten në kuotën e 32 pikëve dhe mbajnë vendin e parë përkohësisht, në pritje të rezultateve të rivalëve.
Milani dhe Allegri nuk arrijnë ta thyejnë tabunë Sassuolo, duke u ndalur sërish nga një skuadër e ngjitur nga një kategori më poshtë. Një mundësi e humbur kjo për të shkuar me moral të lartë në sfidën e Superkupës së Italisë.
Pas 13 minutash, Koné ktheu në gol një asist të Pinamonti. Milani barazoi në minutën e 34-t, kur Bartesaghi shfrytëzoi një pasim të bukur të Loftus-Cheek. Në fillim të pjesës së dytë i njëjti lojtar gjeti avantazhin për kuqezinjtë, pas një bashkëpunimi me Nkunku.
Kur dukej se ndeshja u mbyll dhe pas dy golave të anuluar, Laurienté barazoi shifrat në 2-2. Për pak ai mund ta përmbyste ndeshjen, por shtylla i mohoi golin e tretë me Maignan të mundur.
Për trajnerin Allegri përfundon me shumë pengje kjo ndeshje, ku lajmi i keq ishte dëmtimi i Gabbia. Milan vuan kundër skuadrave të ashtuquajtura “të vogla”.


