Friday, 13. March 2026
Sport

Bashkimi kthehet te fitorja, mposht Yllin në Suharekë

GS 18/12/2025 2 Min. Lesezeit

Pas një serie negative prej katër humbjeve rresht, skuadra e Bashkimit është kthyer te fitorja në Superligën e Kosovës në basketboll.

Të enjten mbrëma në Suharekë, Bashkimi ka mposhtur Yllin me rezultatin minimal në palestrën “13 Qershori”.

Dueli që i takoi xhiros së 12-të në Superligë, përfundoi me shifrat 78:77 në të mirë të Bashkimit, që me 20 pikë të mbledhura mbetet i dyti në tabelë.

Ndeshja në Suharekë ishte e fortë dhe tejet interesante, me fituesin që nuk u vendos deri në fund të takimit.

Bashkimi e fitoi çerekun e parë dhe të tretin që i mjaftuan për t’u kthyer te fitorja, ndërsa Yllit nuk i mjaftoi triumfi në periudhën e dytë dhe të fundit.

Kyan Anderson me 22 pikë, 4 kërcime e 8 asistime udhëhoqi Bashkimin drejt triumfit, ndërsa me lojë të mirë u veçua edhe Lejson Zeqiri që ndeshjen e mbylli me 15 pikë, 7 kërcime e 4 asistime.

Te skuadra e Yllit, Brandon Huffman me 17 pikë e 8 kërcime dhe Antwan Scott me 23 pikë, 4 kërcime e 5 asistime ishin më të mirët.

Kjo është humbja e nëntë këtë sezon e Yllit, që ende mbetet në pozitën e fundit në tabelë.

Teilen: