Përcillet sot në banesën e fundit legjenda e gazetarisë sportive Ismet Bellova, i cili u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare një ditë më parë.
Homazhet për nder të figurës së tij do të zhvillohen sot në hollin e RTSH-së, nga ora 10:00 deri në mesditë.

Bellova ishte zëri ikonik i futbollit shqiptar, gazetar dhe komentator i shquar për shumë vite. Figura e tij u bë pjesë e pandashme e futbollit shqiptar dhe medias sportive në vend. Komuniteti sportiv dhe ai i medias do t’i bëjnë sot nderimet legjendës së mikrofonit në ambientet e RTSH-së, ku ai punoi gjatë gjithë karrierës.

Ismet Bellova, i lindur në Tiranë më 1 qershor 1934, pas arsimimit në ILKF “Vojo Kushi”, iu përkushtua gazetarisë sportive dhe komentit, duke u bërë një zë mjaft i dashur për gjithë sportdashësit shqiptarë.
Për atë çfarë ka dhënë gjatë karrierës, Bellova është nderuar me tituj të ndryshëm, si “Mësues i Popullit”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Mirënjohja e Tiranës”, “Kalorësi i Urdhërit të Flamurit” etj. Ai është vlerësuar gjithashtu me “Çmimin e Karrierës në TVSH”, “Çmimin Anton Mazreku” dhe “Mikrofonin e Artë” në TVSH.



