Dani Alves rikthehet sipas mënyrës së tij, nëpërmjet asaj që dashuron më shumë në jetë: futbollit. Ish-lojtari i Barcelonës dhe Juventusit, pas 14 muajsh në burg, është gati për një aventurë të re në futboll.
Braziliani pritet të jetë futbollist për 6 muaj dhe pastaj drejtues klubi. Ai është në bisedime të avancuara për të blerë, bashkë me një grup investitorësh, ekipin e Sao Joao de Ver, që mban vendin e 10-të në kategorinë e 3-të të futbollit portugez.

Në moshën 42-vjeçare, ish-mbrojtësit nuk i ka ikur dëshira për të luajtur edhe pas gjithë atyre situatave që ka kaluar, pas akuzave për dhunë seksuale dhe burgut, si dhe jetës së re si predikues. Dani Alves dëshiron një tjetër fund për mbylljen e karrierës.
Braziliani është shfaqur për herë të fundit në fushë në janar të 2023-shi. Atëherë ai u akuzua për dhunë seksuale në Spanjë, përfundoi në burg dhe u lirua nga gjykata spanjolle në mars të këtij viti. Tani ai dëshiron të hapë një kapitull të ri në futboll, pak muaj si lojtar dhe pastaj menjëherë si drejtues.


