Krishtlindja e 25 dhjetorit e vitit 1914 është një nga më të paharruarat në histori. Pikërisht sporti bëhet protagonist që t’i thotë ndal luftës, e cila vazhdonte prej 5 muajsh. Një ndeshje futbolli solli paqen në botë dhe shpëtoi jetë njerëzish, të paktën për 24 orë.
Misioni i sportit është paqja dhe bashkimi. E ky mision është vërtetuar ndër vite me qindra e mijëra episode e fakte të dokumentuara ndër vite. Midis tyre, historia njerëzimit mban mend edhe Krishtlindjen e vitit 1914. Atëherë kur Lufta e Parë Botërore kishte prej 5 muajsh që kishte filluar duke shënuar edhe dhjetëra viktima. Por është futbolli, ky sport që në ato vite ishte në fillimet e tij, që i të paktën për 24 orë i thotë ndal luftës së përgjakur.
Ky sport popullor, që kishte fuqinë për të bashkuar njerëzit dhe idealet, për të shkuar përtej kufijve dhe dallimeve. Ky sport bëri që atë Krishtlindje lufta të kalonte në plan të dytë. Sporti nuk mund të shpëtonte jetë njerëzish, të ushqente dhe të strehonte, por të paktën për 24 orë ndali tmerrin që po përjetonin me miliona njerëz. Dy ushtritë që ishin të përfshira në luftë, ajo angleze dhe gjermane, gjetën një mënyrë për të lënë mënjanë armët dhe në mënyrë të papritur të shkëmbejnë urime, të këndojnë, madje dhe të shkëmbejnë dhurata.
Në vigjiljen e natës së Krishtlindjes së 25 dhjetorit 1914 ushtarët guxuan më shumë. Të lodhur nga luftimet, lanë llogoret dhe u takuan në atë që quhet “tokë neutrale” për të rigjetur buzëqeshjen dhe qetësinë nëpërmjet një ndeshje futbolli. Në frontin perëndimor, atë Krishtlindje, futbolli tregoi se mund të mposhte luftën.
Dukej e paimagjinueshme por po zhvillohej një ndeshje futbolli, midis anglezëve dhe gjermanëve dhe një top lecke u bë epiqendra e çdo gjëje. Të qeshura, gëzim, brohorima dhe emocione që përcjell vetëm loja e futbollit. E në ato minuta, futbolli ishte më i fortë se gjithçka.


