Trofeu i Superkupës së Shqipërisë, i pari i këtij sezoni, do të jepet më 28 dhjetor në stadiumin “Air Albania”, ku në fushë do të zbresin Egnatia dhe Dinamo City. Dy skuadra në një formë shumë të mirë, që duan mbylljen perfekte të 2025-ës.
Pak kohë më parë po në këtë stadium triumfonte Egnatia, 1-2 në kampionat. Por finalet ndryshojnë dhe blutë frymëzohen nga ndeshja e Kupës së Shqipërisë, që e fituan me penallti ndaj rrogozhinasve dhe ngritën lart trofeun.

Në maj Egnatia dhe Dinamo barazonin 2-2 në stadiumin “Elbasan Arena”, në një ndeshje plot emocione dhe raste. Për skuadrën e Dajës shënonte dy herë Mandela, për atë të Tetovës realizuan Bakajoko dhe Guindo, aktalisht pjesë e Dinamos. Me penallti fituan kryeqytetasit.
Një ndeshje e hapur pritet edhe nesër në kryeqytet, ndoshta me më pak presion se sa në maj. Dinamo kërkon trofeun e 3-të të Superkupës në historinë e saj, por sigurisht që nuk do të jetë e lehtë përballë një Egnatie të pjekur.


