Fabio Capello, ish-trajneri i njohur italian, hyn në “sparkatë” ndaj sistemit të gjykimit. Në një intervistë të gjatë për “Marca”, ai flet pa filtra për mënyrën e administrimit të VAR-it, teksa komenton skandalin “Negreira”, duke e krahasuar me “Calciopoli”-in.
Sulmi më i fortë i Capello ka të bëjë me përdorimin e teknologjisë dhe mbylljen e klasës arbitrare ndaj figurave të jashtme. “Arbitrat janë mafia. Nuk duan të mbështeten te ish-futbollistët për VAR-in, te njerëz që njohin lëvizjet e futbollit, gjestet që bën një lojtar për të ndaluar, apo për të ndihmuar veten. Shpesh marrin vendime të gabuara, sepse nuk kanë luajtur vetë. Një lojtar preket në fytyrë, hidhet dhe ata vërshëllejnë. Pse vërshëllen? Kjo gjë më çemend”, – ka thënë ish-trajneri.
Zgjidhja, sipas “Don Fabio”, është e thjeshtë: “Duhet të vendosin dikë (ish-lojtar ose ish-trajner) që t’i thotë arbitrit: ‘Mua nuk më duket penallti’. Me UEFA-n kemi analizuar 20 penallti të akorduara. I kemi riparë me ish-lojtarë dhe ish-trajnerë, vetëm 6 ishin penallti, 14 jo”.
Për krahasimin mes çështjeve “Negreira” dhe “Calciopoli”, Capello u shpreh: “Provuan të na ndalnin, por nuk ia arritën. Fituam kundër të gjithëve. Nëse mendon se të fitosh ka gjithmonë vlerë, pas kësaj ka edhe më shumë. Juventusi nuk pagoi (arbitrat) dhe skuadra ra në Serie B, në Spanjë nuk ndodhi asgjë”.


