Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, në kuadër të 80-vjetorit të Federatës Shqiptare të Volejbollit u takua me Presidentin e Federatës Europiane të Volejbollit, Roko Sikiriç, ku diskutuan mbi perspektivat për zgjerimin e bashkëpunimit.
Pas këtij takimi ministri Gonxhja u shpreh se: “Theksuam kontributin të vazhdueshëm të CEV në zhvillimin e volejbollit në Shqipëri, përmes projekteve infrastrukturore në shkolla, programeve të trajnimit për mësues dhe trajnerë, si dhe organizimit të aktiviteteve dhe finaleve europiane për grupmoshat e reja.
Po ashtu, diskutuam mbi perspektivat për zgjerimin e bashkëpunimit në të ardhmen, me fokus të veçantë zhvillimin e beach volley përgjatë bregdetit shqiptar, nga Shkodra në Sarandë, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin e sportit dhe në promovimin e turizmit sportiv”.
Ndërsa kreu i Federatës Europiane të Volejbollit pohoi se: “Vlerësuam punën e bërë ndër vite nga Federata Shqiptare e Volejbollit për rritjen e këtij sporti, si dhe rolin e mbështetjes institucionale në forcimin e ekipeve kombëtare dhe kapaciteteve federative”.


