Kupa e Kombeve të Afrikës po hyn në fazën vendimtare dhe sot futbolli afrikan pritet të ofrojë emocione të mëdha, me zhvillimin e dy ndeshjeve gjysmëfinale që premtojnë spektakël dhe rivalitet të fortë.
Programi hapet me përballjen mes Senegalit dhe Egjiptit, e cila do të zhvillohet në Stade Ibn Batouta në Tanxher, me fillim nga ora 18:00. Senegali siguroi biletën për në gjysmëfinale pas fitores minimale 1-0 ndaj Malit, duke konfirmuar stabilitetin në mbrojtje.
Në anën tjetër, Egjipti eliminoi Bregun e Fildishtë me rezultatin 3-2 në një duel dramatik, ku Mohamed Salah ishte protagonisti absolut dhe lideri i “Faraonëve”.
Gjysmëfinalja e dytë do të luhet në mbrëmje, nga ora 21:00, në Stade Prince Moulay Abdallah në Rabat, ku përballë do të jenë Nigeria dhe Maroku.
Vendasit kanë pasur një rrugëtim pothuajse perfekt deri tani, me katër fitore dhe një barazim, duke u udhëhequr nga Brahim Diaz, i cili ka realizuar pesë gola në turne, ndërsa mbrojtja e Marokut ka pësuar vetëm një gol. Nigeria, nga ana tjetër, ka treguar forcë dhe efikasitet në fazën ofensive, duke shënuar plot 14 gola dhe pa njohur humbje në asnjë ndeshje.
Finalja e Kupës së Kombeve të Afrikës është planifikuar për më 18 janar, dhe të katër kombëtaret gjysmëfinaliste ëndërrojnë të sigurojnë një vend në ndeshjen për titullin e kampionit të kontinentit.


