Ralf Schumacher ngre alarmin: Ferrari me dy makina të ndryshme, do të jetë katastrofë!
Zëra shqetësues për Maranello-n në prag të revolucionit 2026. Sipas ish-pilotit Ralf Schumacher, Ferrari po bën një gabim të rëndë strategjik me zhvillimin e dy makinave të ndryshme.
Bëhet fjalë, gjithmonë sipas ish-pilotit gjerman, për dy koncepte zhvillimi paralele në lidhje me stilet e drejtimit të Leclerc dhe Hamilton.

“Po ndërtojnë dy makina dhe e imagjinoj pse, duke ditur që Leclerc dhe Hamilton kanë opinione krejtësisht të ndryshme për veturat. Nëse është kështu, është një katastrofë që në fillim. Nuk mund të zhvillohen dy makina”, – ka theksuar ish-piloti për “Sky” në Gjermani.
Presioni është maksimal te skuderia italiane. Pas një 2025-e të mbyllur në vend të 4-t dhe pa fitore, Ferrari ka investuar gjithçka mbi një projekt të ri. Nëse makinat e reja dështojnë sezonin e ri, atëherë fati i drejtuesit Fred Vasseur është i shkruar.