Botërori i Skive në RTSH/ Lara Colturi stërvitet në luginën Fassa: Milano-Cortina 2026 speciale për mua!
Lara Colturi rikthehet në Itali ku edhe do të jetë takimi i radhës i Botërorit të Skive. Siç dihet etapa e radhës e eventit, i cili vjen për publikun shqiptar nëpërmjet rrjetit të Radio Televizonit Shqiptar, do të mbahet në Kronplatz në Alto Adige.
Prania e Colturit në këtë garë ka zgjuar interesin e publikut italian, i cili pret nesër rikthimin në pistë edhe të Federica Brignone-s, e cila ka qëndruar larg garave plot 292 ditë.
Në një intervistë të dhënë për “Rai”, Colturi pranon se fokusi është në Lojrat Olimpike Dimërore 2026 edhe pse përpara do t’i duhet që të garojë në Botërorin e Skive në Itali dhe Republikën Çeke.
“Lojrtat Olimpike Dimërore janë një event i veçantë për mua, por do të garoj si të ishte gara e radhës. Do të mundohem që t’i shijoj në maksimum”, tha Lara Colturi për mikrofonin e “Rai”.