Hap historik për futsallin, mirëpritet përfshirja në Lojërat Mesdhetare 2030
Përfshirja e futsallit si disiplinë zyrtare në Lojërat Mesdhetare, duke nisur me edicionin që do të mbahet në Prishtinë në vitin 2030, po vlerësohet si një nga zhvillimet më të rëndësishme për këtë sport në Kosovë.
Figura kyçe të futsallit vendor e shohin këtë vendim si hap të madh drejt afirmimit ndërkombëtar, njohjes institucionale dhe rritjes së mbështetjes për një sport që, sipas tyre, ka pasur rezultate dhe traditë, por jo gjithmonë vëmendjen e merituar.
Drejtori i një prej klubeve më të mira të futsallit në Kosovë, FC Mabetex Prishtina, Fatos Dili, thekson se përfshirja e futsallit në Lojërat Mesdhetare përbën një moment kthese për këtë sport në Kosovë.
“Në momentin e fundit po mendoj për futsallin, ka ardhur një lajm shumë i mirë që ne në Lojërat Mesdhetare dhe po ashtu ato që do të mbahen këtu në Kosovë, në Prishtinë, do të jetë si disiplinë edhe futsalli për herë të parë në këto lojëra. Mendoj që do të jetë një promovim shumë i mirë i futsallit të Kosovës duke ditur që kemi qenë të anashkaluar për shumë kohë medialisht, pasi që përvoja dhe sukseset nuk na kanë munguar. Mirëpo mendoj që ky do të jetë një hap i madh i promovimit të futsallit të Kosovës dhe dëshmi e asaj që kemi folur ndër vite, jo vetëm unë por edhe kolegët e mi më herët që vetëm e kanë themeluar dhe e kanë mbajtur gjallë futsallin për vite, që ky sport është sport nacional në Kosovë dhe duhet të trajtohet më mirë dhe të ketë përkrahje institucionale sa më shumë”, theksoi Dili.
Nga ana tjetër, koordinatori i FFK-së për futsall, Getar Hyseni, shpreh bindjen se Kosova do të paraqitet në mënyrë dinjitoze në Lojërat Mesdhetare 2030. Ai nënvizon nevojën për bashkëpunim më konkret ndërmjet strukturave organizative të Lojërave dhe Federatës, duke bërë të ditur se ende mungojnë disa hapa praktikë.
“Futsalli për 2030 në Lojërat Mesdhetare, besoj që do të paraqitet denjësisht. Mirëpo pritet një bashkëpunim më konkret nga grupi punues i Lojërave Mesdhetare dhe federatës, sepse ende nuk kemi diçka konkrete në këtë drejtim. Ne në vitin e fundit kemi garuar në nivelin “Main Round” që është një arritje historike me kombëtaren e Kosovës, ku kanë debutuar për gjashtë ndeshje 11 lojtarë të rinj, të cilët sigurisht do të jenë në moshën optimale për të garuar në Lojërat Mesdhetare. Kështu që ne jemi të gatshëm për Lojërat Mesdhetare, jemi duke punuar dhe për themelimin e ligës së vajzave, e cila do të jetë edhe kombëtarja e vajzave në Lojërat Mesdhetare”, bëri të ditur Hyseni në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.
Ndërsa, gjyqtarja e futsallit, Tina Kallaba, e konsideron përfshirjen në Lojërat Mesdhetare si një mundësi të rrallë për ta prezantuar futsallin e Kosovës në skenën ndërkombëtare. Sipas saj, kjo ngjarje krijon një pasqyrë reale të nivelit dhe cilësisë që ofron futsalli vendor.
“Unë mendoj që hap dyer shumë të mëdha për futsallin, sepse është një ngjarje shumë, shumë e rëndësishme edhe mendoj që ka me qenë një pasqyrë e mirë për futsallin e Kosovës… Është ngjarja shumë e rëndësishme që t’i tregojmë botës që edhe ne jemi këtu në mesin e gjithë shteteve të Evropës dhe të botës, që të tregojmë cilësi dhe kualitet të lartë”, deklaroi Kallaba.
Ish-lojtari i futsallit, Skender Sadiku, e cilëson lajmin si një “megalajm” për të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në ndërtimin e futsallit në Kosovë. Ai rikujton se futsalli ka një histori të lidhur ngushtë me shtetndërtimin e Kosovës, duke nisur zyrtarisht në vitin 2008.
“Është lajm shumë, shumë i mirë. Pas një lajmi të themi, megalajm, që jemi organizator të Lojërave Mesdhetare, ky është një lajm po ashtu, posaçërisht për njerëz që kanë qenë të involvuar në futsall. Rastisë që futsalli zyrtarisht është luajtur një kohë të gjatë në Kosovë, por zyrtarisht ka filluar në 2008-ën, me vitin e pavarësisë së Kosovës. Edhe futsalli në Kosovë e ka moshën e Republikës së Kosovës, po edhe vitin e themelimit… në shkurt është shpallur pavarësia, kurse në nëntor ka filluar kampionati zyrtar i futsallit në Kosovë. Kam pasur fatin që të jem në ekipin e themelimit të futsallit. Futsalli ka marrë kahjen e vet, kemi referë me stemë ndërkombëtare, kemi ekipe që marrin pjesë në kampionatet e organizuara nga FIFA dhe UEFA, kualifikime për kampionate botërore, kampionate evropiane, Champion League luan kampioni i Kosovës dhe kësaj game iu plotësua mendoj edhe pjesëmarrja në Lojërat Mesdhetare”, deklaroi Sadiku.
Lojërat Mesdhetare janë një ngjarje shumë-sportëshe ndërkombëtare që mbahet çdo katër vjet dhe bashkon sportistë nga vendet rreth Detit Mesdhe. Për herë të parë në historinë e saj, edicioni i 21-të i Lojërave Mesdhetare do të zhvillohet në Prishtinë, Kosovë, nga 24 korriku deri më 4 gusht 2030, me pjesëmarrjen e rreth 3 500 atletëve nga 26 vende dhe garë në mbi 30 sporte të ndryshme.