Trepça mposht Bashkimin në derbin e madh
Skuadra e Trepçës ka fituar derbin ndaj Bashkimit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Të dielën, në ndeshjen e xhiros së 17-t të luajtur në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, Trepça triumfoi me shifrat 90:81.
Me këtë fitore, Trepça forcohet në krye të tabelës me 31 pikë, ndërsa Bashkimi mbetet në pozitën e dytë me 28 pikë të mbledhura.
Për Trepçën, kjo është fitorja e nëntë rresht në elitën e basketbollit kosovar.
Dallimin në këtë ndeshje, Trepça e bëri në çerekun e parë dhe të tretë, të cilët i fitoi me nga nëntë pikë diferencë (28:19 dhe 26:17).
Padyshim, më i merituari në këtë fitore të Trepçës ishte amerikani Akili Vining që ndeshjen e mbylli me 23 pikë, 2 kërcime e 9 asistime.
Me lojë të mirë te Trepça, u veçua edhe Mikaile Tmushiq, i cili regjistroi 16 pikë, 6 kërcime dhe 2 asistime.
Ndërkohë, te Bashkimi më të dalluarit ishin Shanon Shorter me 13 pikë e 7 kërcime kurse 13 pikë i realizoi edhe Isiah Cousins.