Legjionarët/ Taulant Seferi gjen rrugën e rrjetës, Qazim Laçi jep asist
Vijojnë paraqitjet pozitive të futbollistëve kuqezi që aktivizohen me klubet e tyre, duke konfirmuar formën e mirë dhe rolin e rëndësishëm në skuadrat respektive në kampionatet europiane.
Qazim Laçi ishte protagonist në Turqi me Rizesporin, duke dhënë asist në barazimin 2-2 ndaj Basaksehir. Mesfushori i Kombëtares asistoi në golin e dytë të shënuar nga Mihaila në minutën e 68-të, duke regjistruar asistin e katërt sezonal në 19 ndeshje kampionati. Laçi numëron gjithashtu edhe 3 gola këtë sezon, duke qenë një nga elementët më konstantë të skuadrës së tij.
Paraqitje shumë të mirë zhvilloi edhe Taulant Seferi me Bodrumspor. Sulmuesi shqiptar shënoi një gol në fitoren e thellë 3-0 ndaj Serik Spor, duke arritur kuotën e 12 golave në 22 ndeshje kampionati, ndërsa ka dhuruar edhe 4 asiste.
Titullare me klubet e tyre këtë javë ishin gjithashtu Thomas Strakosha, Mario Mitaj, Berat Gjimshiti, Ylber Ramadani, Juljan Shehu dhe Jasir Asani, të cilët vijojnë të japin kontribut të rëndësishëm.
Paraqitjet e futbollistëve kuqezi jashtë vendit mbeten një sinjal pozitiv për Kombëtaren, teksa forma dhe aktivizimi i rregullt në nivele të larta rrit konkurrencën dhe alternativat në prag të sfidave të radhës ndërkombëtare.