Tirana në “zjarrin” e derbeve
Tirana hyn në një nga periudhat më delikate dhe vendimtare të sezonit, ku brenda vetëm pak ditësh do të luajë tre derbi që mund të përcaktojnë jo pak për ecurinë e bardhebluve.
Seria e përballjeve të forta nis më 7 shkurt, aty ku Tirana do të luajë ndaj Dinamos për javën e 23-të të kampionatit Abissnet Superiore. Një duel me peshë të madhe për renditjen dhe moralin e skuadrës, ndërkohë vetëm katër ditë më pas, më 11 shkurt, Tirana do të përballet sërish me Dinamon për çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë, këtë herë në një tjetër duel që kërkon përqendrim maksimal dhe menaxhim të forcave, duke qenë se kalendari nuk lë hapësirë për gabime apo lodhje.
Por prova e vërtetë e karakterit për bardheblutë vjen më 15 shkurt, kur në skenë del derbi i kryeqytetit ndaj Partizanit, gjithmonë një ndeshje më vete, ku pesha e fanellës dhe historia flasin po aq sa forma e momentit. Një sfidë që shpesh vendos jo vetëm pikë, por edhe krenari.
Tre derbi në një hark kaq të shkurtër kohor janë një bankë prove për Tiranën, për skuadrën, stafin teknik dhe grupin e lojtarëve. Në fund, këto përballje mund të shndërrohen ose në trampolinë për vazhdimësinë e sezonit, ose në një alarm serioz, ndërkohë kryeqyteti do të jetojë ditë derbi.