Sot në Bruksel hidhet shorti i fazës së grupeve të edicionit 2026/27 të “UEFA Nations League”, një moment kyç për Kombëtaren shqiptare që do të mësojë kundërshtarët e saj në Ligën C. Kombëtarja shqiptare është pozicionuar në vazon e parë për shortin e fazës së grupeve, që hidhet sot në Bruksel. Ky pozicionim e rendit Shqipërinë mes përfaqësueseve me koeficientin më të lartë të kësaj lige, së bashku me Islandën, Malin e Zi dhe Kazakistanin.
Në vazot e tjera përfshihen përfaqësuese si Finlanda, Sllovakia, Bullgaria, Armenia, Bjellorusia, Qipro, Ishujt Faroe, Moldavia, Estonia dhe San Marino, si edhe skuadra që do të dalin nga ndeshjet “play-off” mes Ligës C dhe D. Sistemi i garës parashikon përballje vajtjeardhje brenda grupit.
Sipas rregullores së UEFA-s, vendet e para sigurojnë ngjitjen në Ligën B, ndërsa vendet e dyta mund të përfshihen në fazën “play-off”, në varësi të formulës përfundimtare. Në këtë kontekst, objektivi i Shqipërisë është i qartë: fitimi i grupit dhe rikthimi në Ligën B, si dhe ruajtja e një rruge alternative drejt kualifikimit në EURO 2028. Liga e Kombeve mbetet një kompeticion i rëndësishëm për kombëtaret europiane, pasi ndikon drejtpërdrejt në renditjen e UEFA-s dhe në mekanizmat shtesë të kualifikimit për turnetë madhorë.
Një risi e rëndësishme e këtij edicioni është ndryshimi i kalendarit ndërkombëtar. Për herë të parë, UEFA ka bashkuar dritaret e shtatorit dhe tetorit në një periudhë të vetme të zgjatur. Kombëtaret do të zhvillojnë katër ndeshje nga 24 shtatori deri më 6 tetor, ndërsa dy takimet e fundit do të luhen në periudhën 12–17 nëntor. Ky format i ri synon të reduktojë ngarkesën e udhëtimeve për lojtarët dhe erdhi pas diskutimeve të gjata me klubet europiane.

