Të shtunën luhet një ndeshje mjaft e rëndësishme. Interi përballet me Juventusin dhe në konferencën për shtyp në prag të sfidës, trajneri Cristian Chivu është marrë edhe me polemikat e gjykimit. Kjo edhe për shkak të këmbënguljes së gazetarëve.
“Futbolli italian dhe ne të gjithë duhet të përmirësohemi në shumë gjëra, por jo në planin arbitral. Natyrisht ata, si ne të gjithë, mund të bëjnë më mirë. Problemi nuk janë arbitrat. Nëse Italia nuk shkon në Botëror prej 11 vitesh, është faji i arbitrave?
Flasim gjithmonë për të njëjtat gjëra, edhe pas futjes së VAR-it ka ankesa. Kur do të shoh një trajner që të thotë se arbitri më favorizoi…”.
Pastaj, në lidhje me “frikën” e kushtëzimit të arbitrave nga protestat e një klubi, Chivu ka shtuar: “Nuk kam frikë nga asgjë, nuk shoh fantazma. Më kanë zgjedhur trajner për të gjetur zgjidhje, jo për t’u ankuar”.
Dhe më tej komenti për “Derbin e Italisë”: “Juventusi është përmirësuar shumë me trajnerin Spalletti, i ka dhënë identitet në pak kohë. Kjo është një ndeshje, ku gjen një motivim më të madh, një ndeshje e rëndësishme jo vetëm në Itali. Sfida e vërtetë është të gjesh motivim edhe kundër skuadrave inferiore në letër. Duhet të jemi gati si gjithmonë, edhe duke pranuar se nuk mund të kemi gjithmonë dominimin e lojës”.
Trajneri rumun ka bërë edhe një batutë për faktin se Spalletti nuk flet në konferencë shtypi: “Unë kërkova që të vinte Lautaro këtu. Jam dakord me të, të flasësh çdo tri ditë nuk është e lehtë”.
A është vendimtare për titullin sfida me Juventusin? “Janë edhe 14 ndeshje, në këtë moment një rezultat nuk bën shumë diferencë, por ka rëndësi në aspektin moral. Kampionati është ende i gjatë”, – ka thënë Chivu, duke pohuar se Barella dhe Calhanoglu janë në dispozicion.