Friday, 13. February 2026
Sport

Basketbollistet e Bashkimit fitojnë Kupën

GS 13/02/2026 2 Min. Lesezeit

Basketbollistet e Bashkimit kanë triumfuar në finalen e Kupës së Kosovës për sezonin 2025/26.

Në finalen e luajtur të mërkurën mbrëma, Bashkimi mposhti ekipin e Peja 03.

Ndeshja e luajtur në palestrën “Sezai Surroi”, në Prizren, u mbyll me shifrat 70:61 në favor të Bashkimit.

Në një atmosferë të mirë, finalja ishte e fortë, dramatike dhe tejet interesante, ku të dyja skuadrat u angazhuan maksimalisht.

Peja 03 ishte më e mirë në dy çerekët e parë dhe ishte në epërsi, por Bashkimi u rikthye fuqishëm në dy periudhat e fundit për ta siguruar fitoren.

Më të dalluarat te Bashkimi ishin amerikanet Destiny Nichole dhe Alexis Mead, që ishin të pandalshme.

Nichole ndeshjen e mbylli me 21 pikë e 15 kërcime, ndërsa Mead shtoi 28 pikë, 6 kërcime e 8 asistime.

Madje, Mead u zgjodh edhe MVP i finales së Kupës.

Te Bashkimi impresionoi edhe Saranda Daci me 6 pikë e 10 kërcime.

Te Peja 03, u veçua Ariel Colon me 22 pikë të shënuara.

Për Bashkimin, kjo është Kupa e nëntë në histori të klubit, ndërsa e pesta rresht.

Trofeun e ngriti kapitenia e Bashkimit, Aulona Muhadri që ia dorëzoi kreu i FBK-së, Arben Fetahu.

Teilen: