Ylber Ramadani ka qenë një element i rëndësishëm për Lecce-n në këto javë të fundit kur ekipi salentin falë fitores përballë Udinezes ka arritur që të marrë tri pikë, të cilat i lejuan të shkëputet nga tre vendet e fundit në klasifikim.
Ekspertët italianë vlerësojnë shumë 29-vjeçarin, të cilit i njohin meritën se ka arritur që të ndërtojë një lidhje të fortë me shokun e repartit Lassana Coulibaly.
Trajneri Eusebio Di Francesco duket se ka ndihmuar mjaft këtë dyshe duke e vendosur në një skemë, e cila i shkon për shtat.
Sipas të dhënave të “OPTA”-s, Ramadani është lojtari më i mirë i Lecce-s sa i përket leximit të lojës së kundërshtarit duke rikuperuar plot 113 herë kontrollin e topit si dhe duke interceptuar 30 herë atë. 29-vjeçari është lojtari i dytë në Serie A për nga numri i ndërhyrjeve në rrëshqitje me 53 të tilla. Ndërsa një tjetër statistikë që tregon shumë për eksperiencën e tij është numri i përqindjes së pasimeve të sakta (80.8%).