Monday, 30. March 2026
Sport

Katër trajnerë në tri faza kampionat, strategjia absurde e Tiranës për… mbijetesë

GS 24/02/2026 2 Min. Lesezeit

Sezoni i Tiranës nuk ka nevojë për shumë fjalë. Lëvizje të shumta në grupin e lojtarëve dhe në stol për të mbijetuar në Abissnet Superiore.

Një strategji absurde nga klubi më i titulluar në vend, me kosto të larta për objektivin më minimal: qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar. Edhe ky objektiv madje është i vështirë të arrihet me atë që po tregon skuadra në fushë.

Orges Shehi është kthyer në stolin e Tiranës, tashmë për ta shpëtuar nga turpi, jo për ta shpallur kampione, si pak sezone më parë. Ai është trajneri i 4-t i bardhebluve, kur nuk është mbyllur ende faza e tretë e kampionatit dhe ndoshta ky klub mund të thyejë çdo rekord në këtë drejtim.

Emërimi i Vangjel Miles para nisjes së sezonit u duk një aventurë dhe i tillë rezultoi. Më pas stoli iu besua italianit Roberto Bordin, me një karrierë relativisht të mirë, por edhe ai nuk rezistoi shumë.

Klubi e largoi italianin dhe e zëvendësoi me Ardian Nuhiun, i cili e nisi shumë keq eksperiencën bardheblu dhe e mbylli po ashtu vetëm një ditë më parë. Eksperimente mjaft të rrezikshme që e kanë çuar Tiranën në vend të parafundit, në luftë për mbijetesë.

Tani është radha e Orges Shehit, i cili ka marrë përsipër detyrën e vështirë të shpëtojë sezonin e nisur me një strategji krejtësisht absurde, të paktën sa i takon drejtimit teknik. Shehi e njeh mirë futbollin shqiptar dhe zgjedhja e tij duket e guximshme në këtë moment, ku duhet shmangur turpi i madh i rënies.   

Teilen: