Friday, 27. February 2026
Sport

Mourinho dhe mallkimi Champions, 12 vjet pa fitore në fazën me eliminim direkt

GS 27/02/2026 2 Min. Lesezeit

Për trajnerin portugez është shndërruar në tabu kupa që e bëri legjendë. Fitorja e fundit pas fazës së grupeve është shumë e largët.

Humbja e dyfishtë me Real Madrid i dha fund rrugëtimit europian të Benfikës dhe njëkohësisht zgjati “agjërimin” e fitoreve të Jose Mourinho në fazën me eliminim direkt të Champions League. Më shumë se 10 vjet që “Special One” nuk fiton një ndeshje pas fazës së grupeve. Ka një statistikë të pabesueshme, paradoksale për atë që e ka ndërtuar famën e tij mbi sukseset në kompeticionet europiane.

Kohët e Portos dhe Interit duken të largëta. Për të gjetur një fitore të trajnerit portugez në fazën me eliminim direkt të Champions League duhet të kthehemi 12 vite pas, kur Chelsea kaloi në gjysmëfinale, pasi mundi PSG-në 2-0 në “Stanford Bridge”, duke përmbysur humbjen 3-1 të ndeshjes së parë.

Nga ai moment ka vetëm zhgënjime. Mallkimi filloi sezonin pasardhës, 2014/15, kur “Blues” u eliminuan nga parisienët me dy barazime (2-2; 1-1). Sezonin tjetër Josè u shkarkua.

Në 2018-ën ai drejtonte Manchester United, por mallkimi vazhdoi, teksa anglezët u eliminuan nga Sevilja. Sërish Mourinho u shkarkua, për t’u kthyer në Champions në 2020-ën me Tottenham. Asgjë e re edhe me këtë skuadër. Kjo ishte hera e fundit e portugezit në fazën me eliminim direkt të Championsit, para përballjes së dyfishtë të Benfikës me Real Madrid. Përsëri dy humbje për “Special One”.

Teilen: