Kombëtarja e vajzave vijon intensivisht përgatitjet në Shkodër në kuadër të sfidave kualifikuese ndaj Malit të Zi (3 mars, ora 14:00, Nikshiq) dhe Çekisë (7 mars, ora 18:00, “Loro Boriçi”), të vlefshme për Botërorin 2027.
Nën drejtimin e trajnerit Grima, skuadra ka zhvilluar disa seanca stërvitore me intensitet të lartë, duke u fokusuar si në aspektin taktik ashtu edhe në atë fizik. Në një prononcim për fshf.org, dy futbollistet Arbiona Bajraktari dhe Alma Hilaj kanë treguar më shumë rreth situatës në kampin kuqezi.
Mbrojtësja Bajraktari nënvizon se skuadra është e fokusuar fillimisht te ndeshja e parë kundër Malit të Zi për të marrë tre pikët e para dhe thekson se përgatitja nga ana e skuadrës po zhvillohet në nivele maksimale.
Atmosfera në skuadër – Atmosfera është shumë e mirë. Vajzat janë të përgatitura maksimalisht. Do mundohemi që të japim maksimumin në këto ndeshje, pasi janë shumë të rëndësishme për ne.
Objektivi për dy ndeshjet e para kualifikuese – Duhet të jemi me këmbë në tokë. Duhet t’i marrim ndeshjet 1 e nga 1. Së pari kemi ndeshjen me Malin e Zi dhe do të mundohemi që të marrim 3 pikë. Pastaj kemi ndeshjen me Çekinë, me të cilën kemi pasur dy përballje në Nations League. Është një kundërshtar i fortë, por do mundohemi që të japim maksimumin.
Analiza e kundërshtarit – Është analizuar si nga stafi, edhe prej nesh. Duke marrë parasysh që jemi ndeshur me disa skuadra, Uellsi është një kundërshtar më i fortë.
Si ndikon afrimi i lojtareve të reja në skuadër? – Loja e ekipit kombëtar po vjen gradualisht duke u rritur, po vjen duke u përmirësuar. Shpresoj që afrimet në skuadër të na ndihmojnë sa më mirë që të fitojmë ndeshjet.
Edhe Alma Hilaj theksoi atmosferën pozitive në skuadër dhe vendosmërinë për të dhënë maksimumin në çdo përballje.
Situata e skuadrës – Atmosfera është shumë e mirë. Është dita e katërt sot dhe po përgatitemi më së miri për të përballuar dy ndeshjet e para që kemi për këto kualifikuese.
Me çfarë objektivi hyn skuadra në këto kualifikuese? – Objektivi është për të marrë më të mirën. Kemi tre skuadra që janë të forta. Ne duam që përballë çdo skuadre të japim më të mirën. Futbolli është futboll. Kemi pasur ndeshje ku kemi dhënë maksimumin dhe ndoshta s’kemi marrë rezultat. Ideja është që të bëjmë performancë të mirë dhe të shpresojmë të marrim rezultatin. Objektivi është të qëndrojmë në Ligën B. E kemi arritur vjet dhe shpresoj të vazhdojmë ta bëjmë.
Rikthimet dhe afrimet e reja në skuadër – Ardhjet e reja kanë bërë gjithmonë mirë. Po ashtu edhe rikthimet janë një ndihmë e madhe për grupin dhe lojën. Shpresoj që të ndihen sa më mirë dhe të japin maksimumin.
Në prag të këtyre sfidave të rëndësishme, Kombëtarja synon të nisë me rezultate pozitive rrugëtimin drejt objektivave të saj në kualifikueset e Botërorit 2027.