Trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja, ka folur për mediat në prag të ndeshjes kundër Egnatias, që do të luhet nesër në orën 16:30 në “Arenën e Demave” dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTSH 1. Tekniku vlerëson kundërshtarin dhe thekson se të kuqtë i kanë të gjitha mundësitë që të zënë një vend në Final 4.
Përveç mungesës së Ismailit si është gjendja e skuadrës?
Ismaili i shtohet numrit të lojtarëve që mungojnë për ndeshjen ndaj Egnatias së bashku me Prekën, Markun, Çipin që kanë patur dëmtime të gjata. Qaka ka patur një shqetësim të vogël por është stërvitur normalisht me ekipin. Pjesa tjetër është OK.
Sa optimist jeni për të pretenduar më tepër se “Final 4”?
Të them të drejtën kur kemi ardhur kemi deklaruar që jemi për “Final 4” dhe vazhdojmë ta themi përsëri që jemi për “Final 4”. Vetë emri, ekipi emblema, tifozët ky klub e ka për detyrim që të luftojë gjithmonë për trofe dhe të jetë sa më lart në renditje. Nëse më përpara shumë veta ishin skeptikë pasi nuk varej çdo gjë nga këmbët tona, tashmë çdo gjë e kemi vetë në dorë. Të shohim ndeshjet tona, nëse i marrim ndeshjet tona “Final 4” aty është.
Përballë keni kampionët në fuqi Egnatian. Çfarë prisni nga ky duel?
Sigurisht Egnatia meriton respekt për atë që ka dhënë në 3 vitet e fundit në futbollin shqiptar. Është 2 herë rresht kampione e Shqipërisë, fituese e Kupës dhe Superkupës. Eshtë një ekip i mirorganizuar me shumë lojtarë cilësorë. Dy ndeshje që jemi ndeshur me ta kemi zhvilluar ndeshje jashtëzakonisht shumë të mira. Ndeshjen e parë në shtëpi kemi dal 0 – 0 me një rast për ne të humbur në minutën e 90 me Tomën të shpëtuar nga Dajsinani. Do flisnim ndryshe. Edhe në Rrogozhinë kemi bërë një paraqitje shumë të mirë, episodet ishin ato që e vendosën. Do të vazhdojmë të bëjmë një paraqitje shumë të mirë. Ne duhet të bëjmë detyrën dhe pjesën tjetër t’ia lëmë fushës.
I druheni ekipit të Egnatias për faktin që vjen nga rezultate pozitive?
Unë shoh vetëm punën e ekipit tim, mënyrën se si do luajnë djemtë. Nuk është se i druhemi. Do të luajmë vetëm futboll. Të dyja ekipet janë të barabarta dhe vijnë të dyja nga një formë shumë të mirë momentale. Mund të them që bashkë me Vllazninë janë 3 ekipet më në formë për vitin 2026. Besoj do të jetë një ndeshje e bukur e luftuar nga të dy ekipet dhe t’ia lemë fushës kush do bëjë më mirë.
E shikoni një sfidë brenda sfidës me kolegun tuaj Tetova?
Jo nuk e shikoj sfidë brenda sfidës. Tetova ka dhënë shumë për futbollin shqiptar. Nëse nuk gaboj ka fituar 7 trofe gjatë kohës që është te Egnatia. Mua më duhet akoma shumë punë që të shkoj deri aty. Nuk është sfidë mes nesh është sfidë mes Egnatias dhe Partizanit.
Është ky Partizani që ju pretendoni?
Të them të drejtën çunat kanë patur jashtëzakonisht shumë rritje të mirë. Nuk është vetëm meritë e imja por e gjithë klubit Partizani. Duke parë elementët e shumtë që kemi në përbërje mund të jemi ekipi me organikën më të madhe në Superligë. Pavarësisht se kemi patur jashtëzakonisht shumë dëmtime ekipi ka shfaqur vetëm rritje dhe rezultate në lojë. Akoma nuk është më e mira sepse siç e dini thuajse baza kryesore e lojtarëve është akoma jashtë. Arafat, Nondi,Preka, Marku, Çipi janë shumë lojtarë që janë jashtë. Në momentin që grupi do jetë i plotë atëherë do jemi një skuadër e frikshme.
Cilën skuadër shikoni për ta fituar titullin?
Kush është në ‘Final 4’ është rival për kampion. Ekipet në Shqipëri janë me faza. Një fazë është një ekip, një fazë tjetra. Nuk është se një ekip ka treguar rrjedhshmëri të qartë nga ndeshja e parë deri në fund. Vllaznia sot është kryesuese, por në fund dhjetori ishte thuajse jashtë ‘Final 4’. Pas një ecurie të fazës së tretë shumë të mirë, tetë fitore radhazi, arriti të shkëputej në vendin e parë. Po ashtu kemi pasur dhe ne oshilacione në fillim të sezonit, e kemi filluar shumë dobët. Katër humbje radhazi. Pesë humbje në shtatë ndeshje, që Partizanit nuk i kishte ndodhur në shumë vite. Duhet parë forma e ekipeve në ‘Final 4’, pasi të mbarojnë 36 javë. Duke parë formulën që është, u jep mundësinë të gjithëve që të luajnë për titull kampion.
Pishman që nuk e keni marrë drejtimin e skuadrës në fillim të sezonit?
Nuk jam me pishman. Jam krenar që jam te Partizani. Kur e mora dhe tani, mundohem të jap maksimumin. Nuk mendoj fare nëse do isha më përpara ose jo. Nëse Partizani do ishte në vend të parë, mua nuk do më jepej mundësia. Ky është basti im personal, faleminderit presidentit që na dha mundësinë që të ishim këtu.
Një apel për tifozët?
Apel jo, thjesht një thirrje tifozëve që të jenë sa më shumë. Ekipi ka nevojë tashmë, kur jemi shumë afër fundit të kampionatit. Të jemi sa më shumë në numër. Futbolli luhet për tifozët, ne stafi dhe djemtë japim maksimumin, që tifozët të shijojnë një futboll sa më të bukur. Luhet për ata. Mbështetja e tyre jep një shtysë akoma më të madhe në këto javë. Sidomos në këtë javë që është shumë e rëndësishme për ekipin, se 3 ndeshje që varen shumë gjëra. I ftoj të gjithë të japim maksimumin, edhe lojtarët të japin maksimumin. Shpresoj të marrim maksimumin e pikëve.