Saturday, 28. February 2026
Sport

Partizani shtang Egnatian, Elbasani ndalet nga Bylisi

GS 28/02/2026 2 Min. Lesezeit

Në javën e 26-të të “Abissnet Superiore”, Partizani ka arritur të marrë një fitore 2-0 në sfidën me Egnatian. Ndërkohë, Elbasani është ndalur në një barazim 1-1 përballë Bylisit.

Në “Arena e Demave”, të kuqtë zgjidhën gjithçka në pjesën e parë, duke shfrytëzuar maksimalisht mundësitë e krijuara. Fillimisht ishte Murataj e më pas Sidibe që shënuan, të asistuar nga Skuka. Në 20 minutat e fundit rrogozhinasit luajtën me një lojtar më pak pas përjashtimit me karton të kuq të Aleksit. Kjo është fitorja e katërt radhazi për Partizanin, që mban vendin e pestë me 39 pikë, në kuotë të njëjtë me Dinamon e vendit të katërt. Nga ana tjetër, Egnatia me 46 pikë mban vendin e tretë, aq sa Elbasani i vendit të dytë.

Në “Elbasan Arena”, verdheblutë nuk kanë shkuar më shumë se një barazim 1-1 përballë Bylisit. Pas një pjese të parë pa shumë mundësi shënimi, ballshiotët surprizuan në pjesën e dytë duke kaluar në avantazh me një penallti të kthyer në gol nga Stoilov. Përpjekjet e vendasve u shpërblyen me një gol të Loukilit, por jo më shumë. Elbasani mban vendin e dytë me 46 pikë, ndërsa Bylisi mban vendin e tetë me 24 pikë.

Teilen: