Mbrojtësi qendror i FC Wil, Julind Selmonaj ka pësuar një dëmtim të rëndë në gju gjatë ndeshjes të së dielës ndaj Neuchâtel Xamax.
21-vjeçari pritet të mungojë për pjesën e mbetur të vitit 2026, një goditje e fortë si për lojtarin ashtu edhe për klubin. Selmonaj, i cili iu bashkua skuadrës në verën e vitit 2025, arriti brenda një kohe të shkurtër të shndërrohej në një nga shtyllat kryesore të repartit defensiv.
Në 20 paraqitje në këtë sezon me Wilin, mbrojtësi kosovar ka realizuar tre gola dhe ka dhuruar dy asistime — shifra mbresëlënëse për një qendërmbrojtës. Ai ishte pothuajse gjithmonë pjesë e formacionit titullar, duke kompletuar në shumicën e rasteve 90 minutat e plota dhe duke sjellë siguri e stabilitet në prapavijë.
Mungesa e tij do të ndihet ndjeshëm në javët dhe muajt në vijim, pasi Selmonaj ishte kthyer në një element të pazëvendësueshëm në skemat e trajnerit. Tashmë, Wil do të duhet të gjejë alternativa për të mbuluar boshllëkun e lënë nga një prej lojtarëve më konstantë të sezonit.
Për vetë lojtarin, prioritet mbetet rikuperimi i plotë dhe rikthimi më i fortë në fushë. Ndërkohë, klubi dhe tifozët shpresojnë që 2027-ta ta gjejë Selmonajn sërish në formën e tij më të mirë.