Spalletti ka 11 ndeshje në dispozicion për të kaluar Romën. Goditje e mëdha për bardhezinjtë bëhen vetëm me vendin e 4-t. Pëlqehen edhe Goretzka e Senesi.
Të gjithë për Championsin dhe Championsi për të gjithë. Kenan Yildiz dhe Weston McKennie kanë vënë bast për Juventusin e ri, duke rinovuar pa e ditur se si do të përfundojë kampionati. Trajneri Luciano Spalletti do t’u bashkohet shpejt, por ndoshta edhe Dusan Vlahoviç, në fund kontrate me torinezët.
Megjithatë, përveç besimit te projekti i “Zonjës”, duhet patjetër edhe vendi i 4-t, pra pjesëmarrja në Champions League. Sepse kampionët jetojnë për të dëgjuar muzikën e mbrëmjeve të mëdha europiane. Në këtë sens, lëvizjet në merkato të Juventusit, afrimet me peshë, varen direkt nga garancia e shpërblimeve që jep UEFA.
Janë në lojë 60-70 milionë euro, që më pas do të investoheshin për përforcime që ngrejnë nivelin e skuadrës dhe nuk janë vetëm për numër. Ëndrra e madhe e bardhezinjve është Sandro Tonali, aktualisht te Newcastle. Emrat e tjerë në listë janë lojtarë në fund kontrate si, Bernardo Silva (Manchester City) dhe Leon Goretzka (Bayern).

Bisedimet kanë nisur me të tre mesfushorët dhe në rast kualifikimi në Champions, Damien Comolli me siguri do t’i bëjë një dhuratë luksi trajnerit Spalletti. Pa vendin e 4-t ai do të detyrohet të ndjekë rrugë më pak të sigurta, me rrezikun për të rënë përsëri në “kurthe”, si në rastin Openda.
Tonali do të ishte përforcimi ideal për Juventusin. Klubi bardhezi lëvizi për lojtarin e Italisë korrikun e kaluar dhe do ta provojë sërish në verë. Por duhen 70-75 milionë euro. Me vendin e 4-t dhe ndonjë shitje (Koopmeiners dhe Douglas Luiz), Comolli mund t’ia dalë. Pistat e tjera janë ato me parametra zero, Bernardo Silva i Manchester City dhe Leon Goretzka i Bayern, të cilët ndiqen gjithashtu edhe nga klube të tjera.
Juventus po ndjek me interes edhe një tjetër lojtar në fund kontrate: Marcos Senesi të Bournemouth. Argjentinasi 28-vjeçar ka pasaportë italiane dhe pretendime ekonomike ndryshe nga ekspertët fitues Bernardo Silva e Goretzka. Kostot janë të pranueshme dhe pa Championsin dhe me shumë mundësi Senesi do të transferohet në Torino. Për të ka interes edhe Roma, rivali direkt në luftën për vendin e 4-t.