Kosova e Shqipëria e kanë fituar të drejtën e organizimit të Evropianit 2027 për grupmoshën 16-vjeçarëve në volejboll.
Lajmi është bërë i ditur nga Federata e Volejbollit e Kosovës.
Sipas FVK-së, vendimi është marrë në mbledhjen e Bordit të Administratës së CEV-it dhe është konfirmuar përmes një letre zyrtare nga presidenti i CEV-it, Roko Sikiriq, drejtuar presidentëve të dy federatave, Bahri Gjinovci dhe Erlind Pëllumbi.
Evropiani zhvillohet në verën e vitit 2027 në Prishtinë dhe Tiranë. Finalja zhvillohet në Prishtinë. Pjesëmarrëse do të jenë 16 shtete.
“Ky vendim i CEV-it vjen edhe si rezultat i organizimit shumë të suksesshëm nga Kosova dhe Shqipëria të Kampionatit Evropian U16 për vajza, i cili u mbajt gjatë verës së vitit 2026 dhe u vlerësua lartë nga institucionet evropiane të volejbollit”, shkruan FVK-ja.