“Jemi në dijeni të zërave dhe spekulimeve rreth Finalissima, duke parë situatën në rajon”, – shpjegon UEFA për Sky në lidhje me ndeshjen mes Argjentinës dhe Spanjës, e programuar për t’u luajtur më 27 mars në Katar.
Një vendim zyrtar në lidhje me spostimin ose jo të kësaj sfide, sipas UEFA-s, do të merret javën e ardhshme. “Po bisedohet me organizatorët lokalë, që kanë bërë sforco të jashtëzakonshme për zhvillimin e rregullt të ndeshjes. Një vendim përfundimtar mund të ketë në fund të javës së ardhshme.
Për momentin, nuk janë marrë në konsideratë stadiume të tjera si alternativa për Dohën. Nuk do të ketë komente të tjera deri në momentin që do të merret një vendim”, – sqaron më tej institucioni që drejton futbollin europian.
Finalissima vë përballë kampionët e Europës dhe të Amerikës së Jugut, saktësisht Spanjën, fituese të UEFA EURO 2024, dhe Argjentinën, fituese të Copa América 2024. Argjentina është njëkohësisht edhe kampione e botës dhe fituese në fuqi e Finalissima, falë suksesit 3-0 ndaj Italisë në vitin 2022.
Situata e tensionuar në Lindjen e Mesme ka bërë që të mendohet se Finalissima mund të spostohet nga Doha për në një vend më të sigurt, por për momentin ajo qëndron në Katar.