Motorët rikthehen të zhurmojnë në cirkuitin e Albert Park. Sezoni 2026 është agimi i një epoke teknike, që premton të riorganizojë tërësisht vlerat e deritanishme.
Pritja përfundoi. Formula 1 ndez nesër motorët në Albert Park, duke i dhënë start një ere komplet të panjohur. Çmimi i Madh i Australisë fillon të premten dhe nuk është vetëm debutimi sezonal, por edhe “pagëzimi” i një rregulloreje teknike që ka përmbysur hierarkitë, duke sjellë në pistë makina më të manovrueshme, me Power Unit të reja.
Në këtë skenar paqartësie, McLaren i Lando Norris paraqitet si favorit, pas vazhdimësisë teknike, që duket se e lejon të interpretojë më mirë se askush tjetër aerodinamikën aktive të re.
Sytë e tiofzëve janë edhe te Ferrari, ku bashkëjetesa mes Lewis Hamilton dhe Charles Leclerc tashmë do të shihet në terren, në sfidën për titull. Makina e re SF-26 ka treguar shpejtësi të kënaqshme gjatë testeve, ndërsa administrimi i fluksit energjitik mes kthesave të Melbourne mbetet e panjohura kryesore te Ferrari.
Red Bull-i i Max Verstappen është përballë sfidës më të rrezikshme: debutimit të motorit Ford, që duket se ka treguar nivel të lartë paraqitjeje dhe qëndrueshmërie gjatë testeve të Bahrejnit.
Nuk mungojnë hijet e dyshimit, si në rastin e Aston Martin të Adrian Newey, i cili po Lufton kundër vibracionit strukturor. Një shqetësim jo i vogël ky, sepse vë në provë të vështirë pilotët sa i takon rezistencës. Opinioni është se debutimi me motor Honda mund të jetë një malore më e fortë nga sa ishte parashikuar.
Me kuriozitet pritet debutimi zyrtar i Audi-t, ndërsa gara e nesërme mund të jetë më shumë si një ndeshje shahu, e luajtur mbi fijen e konsumit elektrik dhe mbi aftësinë e adaptimit të profileve të reja të lëvizshme.