Sportisti suedez ka përmirësuar rezultatin e vet në eventin e organizuar prej tij. Zhgënjen Karalis, që ndalet në 5.80 metra.
Armand Duplantis ka regjistruar rekordin e 15-të botëror radhazi. Ai ka fituar me kërcimin 6.31 metra edicionin e Mondo Classic, meeting Silver të ‘World Indoor Tour’, i zhvilluar në Uppsala të Suedisë. Një event i organizuar nga vetë atleti i kërcimit me shkop që nga viti 2022.
Ishte një garë, ku merrnin pjesë atletët më të mirë të kësaj disipline. Mjafton të përmendim faktin se 8 nga 9 pjesëmarrësit kanë pasur rezultate mbi 6 metra, ndërsa i 9-ti 5.96 metra.

Për 26-vjeçarin suedez, një jashtëtokësor në panoramën botërore të atletikës, kompeticioni u zhvillua në mënyrën më të mirë të mundshme. Duplantis bëri vetëm 4 kërcime: 5.65, 5.90, 6.08 dhe ai final i rekordit të ri, 6.31 metra.
Ai që konsiderohej kundërshtari më i fortë për suedezin, greku Emmanouil Karalis, me kërcimin më të mirë sezonal 6.17 metra, në këtë event ka zhgënjyer, duke u ndalur te 5.80 metra, vendi i 7-të. Vendin e dytë e zuri norvegjezi Sondre Guttormsen, me 6.00 m, ndërsa në vend të tretë doli amerikani Zachery Bradford, me 5.90 m.
Rekordet botërore të Armand Duplantis
8 shkurt 2020 — 6.17 m — Toru (Poloni) – rekordi i parë botëror
15 shkurt 2020 — 6.18 m — Glasgow (Skoci)
7 mars 2022 — 6.19 m — Beograd (Serbi)
20 mars 2022 — 6.20 m — Beograd (Serbi)
24 korrik 2022 — 6.21 m — Eugene (SHBA)
25 shkurt 2023 — 6.22 m — Clermont-Ferrand (Francë)
17 shtator 2023 — 6.23 m — Eugene (SHBA)
20 prill 2024 — 6.24 m — Xiamen (Kinë)
5 gusht 2024 — 6.25 m — Paris (Francë) – Olimpiadë
25 gusht 2024 — 6.26 m — Zyrih (Zvicër)
28 shkurt 2025 — 6.27 m — Clermont-Ferrand (Francë)
15 qershor 2025 — 6.28 m — Stokholm (Suedi)
12 gusht 2025 — 6.29 m — Budapest (Hungari)
15 shtator 2025 — 6.30 m — Tokio (Japoni)
12 mars 2026 — 6.31 m — Uppsala (Suedi)