Mesfushori i Kosovës, Florent Muslija, ka theksuar se Kombëtarja e Kosovës do të bëjë maksimumin për të arritur një kualifikim historik në Kupën e Botës 2026, teksa skuadra përgatitet për ndeshjet vendimtare të fazës play-off në kualifikimet evropiane.
Kosova siguroi vendin e dytë në Grupin B pas Zvicrës duke lënë pas Suedinë dhe Slloveninë. Tani skuadra e drejtuar nga trajneri Franco Foda do të përballet me Sllovakinë më 26 mars, në një duel vendimtar për të vazhduar rrugën drejt turneut që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë
Muslija, i cili është i huazuar te Fortuna Düsseldorf nga SC Freiburg, ishte titullar në të gjitha ndeshjet e Kosovës gjatë fazës së grupeve. 27-vjeçari, duke folur për FIFA.com, thotë se beson se forma e mirë me klubin mund ta ndihmojë edhe në paraqitjet me kombëtaren.
“Në futbollin ndërkombëtar, padyshim që gjykohesh nga fakti nëse luan apo jo për klubin tënd. Kam një pozicion të mirë në ekip dhe kam bërë edhe disa paraqitje të mira në ndeshjet e fundit. Shpresoj që të mund ta çoj formën time të mirë të klubit edhe në ekipin kombëtar dhe madje ta përmirësoj atë”, ka deklaruar Muslija për FIFA.
Ai theksoi se roli i tij në ekipin kombëtar është i ngjashëm me atë që ka në klub, duke e parë veten si një nga lojtarët që duhet të marrë më shumë përgjegjësi në këtë fazë të karrierës.
“Nuk ka ndonjë ndryshim të madh. E shoh veten si një lider në Dusseldorf dhe për ekipin kombëtar, si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Tani jam në një moshë ku mund dhe duhet të marr më shumë përgjegjësi”, është shprehur mesfushori.
Muslija ka folur edhe për pritshmëritë që trajneri Foda ka ndaj tij në skuadër.
“Ai do që unë të marr përgjegjësi dhe e di që unë mund të jem fitues i ndeshjes. Ai do ta shohë këtë në fushë. Natyrisht, ai do që unë të ndihmoj edhe në mbrojtje dhe unë përpiqem të bëj më të mirën time në atë aspekt”, ka theksuar ai.
Duke reflektuar mbi fushatën kualifikuese, Muslija e cilësoi atë shumë pozitive për Kosovën, duke nënvizuar rritjen e ekipit dhe unitetin brenda skuadrës.
Kosova humbi vetëm një ndeshje gjatë fazës së grupeve, atë ndaj Zvicrës, por mesfushori beson se skuadra ka arsye të jetë krenare për rrugëtimin deri tani.
“Ne kemi arritur kaq shumë tashmë dhe, sigurisht, puna jonë nuk ka mbaruar ende. Ne duam të kualifikohemi për Kupën e Botës dhe do të japim gjithçka për të arritur atje”, ka theksuar Muslija.
Ai kujtoi edhe golin e tij në barazimin 1:1 kundër Zvicrës, duke thënë se shënimi për vendin është një ndjenjë e veçantë.
“Të shënosh një gol për vendin tënd – dhe një gol kaq të rëndësishëm – të jep një shtytje dhe një ndjenjë besimi dhe lirie për të luajtur. Ishte një ndjenjë e mrekullueshme”, është shprehur ai.