Mesfushori me tipare sulmuese, Nico Paz, mund të transferohet këtë verë nga Como te Interi, pasi zërat për një ndryshim ambienti vetëm po shtohen pas takimit të lojtarit dhe babait të tij me drejtues dhe legjenda të Nerazzurrëve.
Lojtari i Comos, Nico Paz, është takuar me nënkryetarin e Interit, Javier Zanetti, duke nxitur kështu thashethemet për një transferim të mundshëm në verë.
Takimi u zhvillua në fillim të kësaj jave në Milano në restorantin Botinero në pronësi të Zanettit, ku në darkë mori pjesë edhe babai i Pazit, Pablo.
Kjo ka intensifikuar spekulimet, pasi Interi është lidhur ngushtë me lojtarin argjentinas, teksa spekulimet shtohen edhe më shumë pasi pjesë e takimit ishte edhe legjenda tjetër argjentinase e Interit, Diego Milito.
Gruaja e Zanettit, Paula de la Fuente, e ndau momentin në rrjetet e saj sociale me një foto të lojtarit përkrah babait të tij, si dhe Zanetti e Militos.
Nico Paz firmosi njërën nga këpucët e tij, të cilat, së bashku me ato të shumë kolegëve të tjerë të shquar, do të ekspozohen në njërën nga vitrinat e restorantit.

Si shenjë admirimi për lojtarin, Paula de la Fuente shtoi komentin “Aura” në imazhin e përbashkët.
Paz ka qenë në një formë të shkëlqyer këtë sezon, duke shënuar 10 gola dhe duke dhënë gjashtë asistime në të gjitha garat për skuadrën e Cesc Fabregas.