Galatasaray po përgatit një nga lëvizjet më të guximshme të verës në tregun e transferimeve, duke synuar kapitenin e Manchester Cityt, Bernardo Silva, me një ofertë prej 15 milionë eurosh në vit
.
Sipas mediumit turk “Takvim”, negociatat tashmë kanë hyrë në fazën e dytë, ndërsa klubi planifikon bisedime direkte me përfaqësuesit e Silvës gjatë muajit të ardhshëm.
Diskutimet thuhet se do të fokusohen te një pagë vjetore prej 15 milionë eurosh, shifër që do ta vendoste kampionin turk përpara shumë klubeve të tjera në Evropë.

Silva po hyn në muajt e fundit të kontratës së tij me Manchester Cityn dhe, meqë ende nuk ka një marrëveshje për vazhdim, disa klube në të gjithë Evropën kanë filluar të pozicionohen për të siguruar shërbimet e mesfushorit portugez.
Gjatë periudhës nëntëvjeçare te City, Silva ka fituar gjashtë tituj të Liga Premier, një trofe të Ligës së Kampionëve dhe ka zhvilluar më shumë se 440 paraqitje, duke u shndërruar në një nga lojtarët më të besuar të Pep Guardiolës. Mundësia që ai të jetë lojtar i lirë në treg e bën një nga mesfushorët më të kërkuar për momentin.